Vetëm me një tavolinë, një skenë minimaliste, artikulim dhe zë kumbues, Paskalis Tsaruhas arriti të përcjellë emocion në shfaqen “Kaçaku”, në natën përmbyllëse të Festivalit Ballkanik të Filmit në “Teatër Kame”.

Në një mjedis të hapur në formën e amfiteatrit, publiku, edhe pse nuk e njihte gjuhën greke, e përjetoi dhimbjen e monodramës së kaçakut, si një personazh kontradiktor dhe i shumanshëm.

“Shfaqja vet dhe teksti, gjithë performanca e aktrimit bazohet jashtëzakonisht shumë tek emocioni dhe ndjesia që përcjell. Edhe pjesa e publikut që nuk e njeh gjuhën njehsohet me heroin e pjesës, kaçakun, i cili ka një përjetim të jashtëzakonshëm të gjëmës që i ka ndodhur, dhe njeriun e thjeshtë kjo gjë e bën për vete”, tha aktori grek Paskalis Tsaruhas.

Kaçaku i Tsaruhas është një mohues i rendit, që u dënua nga njerëzit në kundërshtim me lirinë pa kufij, që ai kërkonte dhe që zgjodhi.

“Kjo është puna jonë, të bëjmë gjithçka duke mos pasur asgjë”, thekson Paskalis Tsaruhas.

Në “Teatër Kame”, gjatë mbrëmjes së të dielës, me pjesëmarrjen e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpërndanë çmimet për trupat pjesëmarrëse. Trupa më e mirë u përzgjodh ajo nga Bullgaria, me pjesën “Të gjithë në tavolinë”.

Top Channel