Vlerësim i ri për administratën, këtë radhë bazuar në ankesat e qytetarëve

05/09/2016 00:00

Shqetësimet e qytetarëve në portalin “Stop Korrupsionit” apo kanale të tjera komunikuese me qeverinë do të vënë në testim punonjësit e administratës publike.

Vlerësimi i performancës do të nisë me ALUIZNI-n dhe Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme, ndërsa procesi do të kryhet nga zyra e zv.kryeministrit.

“Vlerësimi i çdo drejtuesi të administratës do të bëhet jo më nga procesi, jo më nga orët e punës që shpenzon në zyrë, por nga rezultati. Pra, sa i kanë shërbyer qytetarit, sa kërkesa janë trajtuar, sa nga ato kanë marrë përgjigje, etj”, sqaroi Niko Peleshi.

Ndërsa ministri i Drejtësisë deklaroi se punonjësit që shkelin afatet ligjore do të përballen me masa disiplinore, ndërsa u la disa detyra institucioneve që ka në varësi direkte.

“Në fund të vitit shifrën e aplikimeve të patrajtuara, sado qoftë ajo, e duam zero. Nëse është edhe 1, atëherë është i ikur nga puna automatikisht ai apo ajo drejtues i zyrës vendore. Nuk pranojmë më, qoftë dhe me shaka, teorinë se humbin dokumentat në zyrat e shtetit”, deklaroi Manjani.

Ministri Manjani u kërkoi gjyqtarëve të mos marrin asnjë vendim pa verifikimin paraprak të statustit të pronës. Ndërkohë, nga shtatori ministrja Harito lajmëroi një numr unik për informimin e qytetarëve, para se të shkojnë në zyrat e shtetit për të kërkuar shërbimin.

Top Channel