Festivali i komedisë në Korçë

05/09/2016 00:00

Edicioni i tretë i Festivalit të Komedisë në Korçë, “KokoFest” ka ngritur siparin me shfaqien “Qiell i heshtur”, një komedi romantike e vënë në skenë nga Teatri “Metropol”.

Trupat që do të përfshihen në konkurrim në këtë edicion, përveç interpretimeve do të gjallërojnë disa nga ambientet e qytetit, duke krijuar një kornizë më të gjerë artistike.

“Risia e këtij viti në KokoFest është që një pjesë e mirë e shfaqjeve do të bëhen këtu në teatër, i cili është ende në rikonstruksion. Do të kemi 9 shfaqje, 8 prej të cilave janë në konkurrim, ndërsa njëra prej tyre ‘Shtëpia e Bernard Albës’ do të jetë përshëndetëse”, tha Zamira Kita, drejtoreshë e Teatrit.

Pas shfaqjes, aktorët interpretues, por edhe anëtarët e jurisë kanë ndarë emocionet dhe kanë përcjellë vlerësimet e tyre.

“Shpresoj që ky teatër të mbajë edhe më shumë se një festival, pasi mendoj se Korça është djep kulture dhe e meriton një teatër të vërtetë”, tha regjisori Rudin Mulla.

“U kënaqëm shumë me shfaqjen e parë, një grup artistësh të mrekullueshëm. Këtë e tregoi edhe spektatori, i cili e ndoqi me kërshëri”, tha aktorja Zyliha Miloti.

“Vazhdimësia që krijon KokoFesti, edhe në këto kushte për mua është tepër pozitive”, shprehet aktori Ndriçim Xhepa.

“KokoFest” do të vazhdojë maratonën e tij deri të shtunën, ndërsa nuk do të mungojnë pjesëmarrësit nga i gjithë vendi, por edhe trevat e tjera.

Top Channel