Aktoret Dakota Fanning, Guy Pierce dhe Emilia Jones parakaluan në tapetin e kuq para pallatit të filmit në Venecia, për premierën botërore të filmit “Brimstone”.

Regjisori holandez Martin Koolhoven zgjodhi një protagoniste femër për filmin, në mënyrë që më në fund të tregonte botën mashkullore të “Wild Western” nga këndvështrimi i një gruaje.

Filmi, që tregon historinë e mbijetesës së një gruaje të shurdhër, e cila përndiqet nga një predikues hakmarrës, është mes 20 filmave që konkurrojnë për “Luanin e Artë”.

“Kam qenë gjithmonë një adhurues i këtij zhanri, por njëkohësisht kam hezituar t’i dedikohem atij, pasi do të garoja me filma të mëdhenj”, ka thënë Koolhoven.

Regjisori holandez vendosi ta realizojë në anglisht filmin, që është një bashkëpunim mes 6 vendeve: Holandës, Gjermanisë, Belgjikës, Francës, Britanisë dhe Suedisë. Për Fanning, interpretimi i një personazhi të shurdhër kishte qenë një sfidë e veçantë.

“Jam e magjepsur nga mënyra sesi komunikojnë me botën njerëzit që nuk mund të flasin. Mendoj se energjia dhe gjuha e trupit mund të thonë më shumë se fjalët që i themi njëri-tjetrit”, tha Fanning.

Top Channel