“The Young Pope”, në festivalin e Venecias

05/09/2016 00:00

Aktori britanik Jude Law dhe regjisori italian Paolo Sorrentino shkelën së bashku tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Venecia, për premierën botërore të dy episodeve të para të “show”-t të tyre të ri televiziv, “The Young Pope”.

Drama, e shkruar dhe e drejtuar nga Sorrentino, rrëfen historinë e jetimit Lenny Belardo, që do të kthehej në të parin Papë amerikan në histori. Ajo çfarë tregon Sorrentino është historia e një njeriu gjithmonë në kërkim të Zotit, që me qëndrimin e tij trondit e befason.

“The Hollywood Reporter” e përshkruan serialin si një fantazi argëtuese e të paparashikueshme e Sorrentinos dhe si një hit të mundshëm për rrjetin e famshëm kabllor amerikan “HBO”.

Shija e regjisorit për të çuditshmen, ndonjëherë del disi jashtë kontrollit, – shkruan revista, – por në këtë qasje disi komike të traditave të fshehta të shtetit të vogël papnor, përgjithësisht i shërben mirë.

Seriali është shumë larg humorit të qetë, e me tone respekti të Nanni Morretit në filmin “Kemi një Papë”, ku Michel Piccoli interpretonte një Papë të porsazgjedhur, kaq të mbytur nga dyshimet sa refuzon të marrë postin.

“The Young Pope” është xhiruar në dy gjuhë, anglisht e italisht, dhe sjell nën interpretimin e Jude Law një Lenny Belardo, që nuk është vetëm Ati i parë i Shenjtë amerikan, por edhe një Papë vetëm 47 vjeç, që shfaqet kapriçoz dhe arrogant.

Top Channel