“Brexit”, Japonia paralajmëron tërheqjen e bizneseve

05/09/2016 00:00

Qeveria e Japonisë paralajmëroi se “Brexit”-i mund të çojë drejt largimit të bankave japoneze dhe kompanive farmaceutike nga Britania, për t’u vendosur në një tjetër vend të Bashkimit Europian.

Arsyeja përse një lëvizje e tillë mund të paraqitet si domosdoshmëri në një moment të caktuar është se ligjet e BE-së do të rreshtin së aplikuari në Mbretërinë e Bashkuar. Nisur nga kjo situatë, ekzekutivi në Tokio i kërkon kryeministres britanike Theresa May t’i trajtojë shqetësimet e kompanive japoneze në një mënyrë sa më të përgjegjshme.

“Downing Street”-it, sipas BBC-së, raporti i ka rënë në dorë gjatë javës së kaluar. Firmat japoneze punësojnë gati 140 mijë vetë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa këtë shtet e ka si bazë në Europë Banka “Nomura”, gjiganti i industrive përpunuese “Hitachi” dhe prodhuesit e automobilëve “Honda”, “Nissan” e “Toyota”.

“Rrezik ka dhe për ta minimizuar influencën e ‘Brexit’-it mbi kompanitë japoneze, ne ia shtuam edhe këtë kategori planit ekonomik, me qëllim mbështetjen e tyre”, tha Yoshihide Suga, sekretar kabineti i qeverisë japoneze.

Dy javë më parë, duke cituar një sondazh të “Greenëich Associates”, “Bloomberg” shkruante se mbi një e katërta e kompanive europiane po planifikonte reduktimin e nivelit të biznesit që bëjnë me bankat britanike, pasi të vihet në jetë shkëputja e vendit nga BE-ja.

Top Channel