Rafael Nadal eliminohet nga US Open

05/09/2016 00:00

Rafael Nadal i thotë në mënyrë të papritur lamtumirë turneut US Open. Tenisti spanjoll, fitues i 14 titujve Grand Slam, u eliminua në raundin e katërt nga Lucas Pouille, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në 5 sete. 22-vjeçari Pouille, i cili ende nuk ka fituar ndonjë turne ATP, tregoi të gjithë aftësitë e tij duke e mbyllur ndeshjen me Nadal me rezultatin 3-2, pas 4 orësh lojë, për të siguruar një vend në çerekfinale.

Djokovic më në fund arriti të luajë një ndeshje të plotë, atë ndaj Kyle Edmund. Tenisti serb iu imponua me forcë britanikut, të cilin arriti ta mundë me rezultatin 3-0 (6-2, 6-1 dhe 6-4), për t’u kualifikuar mes 8 më të mirëve të US Open. Kundërshtari i radhës për Djokovic do të jetë francezi Jo-Wilfried Tsonga.

Në kampin e femrave, Angelique Kerber u kualifikua për në çerekfinale pasi mundi një emër të njohur të tenisit si Petra Kvitova. Kerber u shfaq superiore ndaj çekes, të cilën e mposhti në 2 sete (6-3 dhe 7-5) dhe në raundin tjetër do të përballet me italianen Roberta Vinci.

E vendosi emrin e saj mes çerekfinalisteve të US Open edhe Caroline Wozniacki. Danezja, ish-numri 1 i botës, mundi në raundin e katërt amerikanen Madison Keys me rezultatin  2-0 (6-3 dhe 6-4). Në çerekfinale, Wozniacki do luajë ndaj letonezes Sevastova, e cila eliminoi britaniken Johanna Konta.

Top Channel