PS përgënjeshtron lajmin: Asnjë largim drejt PD

05/09/2016 00:00

Shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Muharem Rama ka përgënjeshtruar lajmin e bërë publik nga Partia Demokratike për largimin e 200 anëtarëve nga strukturat e Partisë Socialiste.

“Asnjë anëtar i Partisë Socialiste nuk është larguar në drejtim të Partisë Demokratike dhe e gjitha është një shfaqje e shëmtuar me njerëz të importuar nga jashtë Dibrës, me synim dezinformimin e qytetarëve pak ditë përpara zgjedhjeve të 11 Shtatorit”, thuhet në një deklaratë.

Zyra e kandidatit Rama thotë se, “përdorimi i manovrave të tilla nga Partia Demokratike veçse fyejnë popullin dibran dhe nuk mund të kenë asnjë efekt elektoral”.

“Përkundrazi, edhe fushata elektorale e ka provuar se kandidatura e doktor Muharem Ramës arrin të sigurojë mbështetje nga e majta dhe e djathta. Fakt që do të provohet nga vota e kësaj fundjave”, vijon deklarata.

Sipas PS, “qytetarët e Dibrës e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre për të votuar masivisht në 11 Shtator për kandidaturën e doktor Muharem Ramës”.

Top Channel