15-vjetori i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes; Kodheli: Të ecim përpara

05/09/2016 00:00

Forcat e Armatosura kanë festuar sot 15-vjetorin e themelimit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, e cila organizon dhe drejton përgatitjen, arsimimin dhe kualifikimin e vazhdueshëm të oficerëve, nënoficerëve dhe civilëve në Forcat e Armatosura.

E pranishme në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli theksoi rëndësinë që ky institucion ka për FA, duke u renditur përkrah tre forcave kushtetuese.

Në fjalën e saj, Kodheli falenderoi gjithë brezat e punonjësve të arsimimit ushtarak, që ndër vite edukuan breza të tërë ushtarakësh, për të qenë pjesëtarë të denjë të Forcave të Armatosura.

Megjithatë, ky përvjetor e gjen këtë institucion përballë sfidave të reja, të cilat ministrja Kodheli u kujdes t’i vinte në dukje.

“Dua ta vë theksin në dy mundësi të arta që FA kanë për t’i ofruar ekspertizë shqiptare të gjitha vendeve aleate e atyre partnere. Së pari, Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes. Ky kurs vazhdon të jetë vetëm “I Listuar nga NATO”. Pres nga drejtuesit e KDS që të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për të ngritur nivelin e këtij kursi, për të përmirësuar kushtet e kurrikulat, e gjithçka tjetër e nevojshme për ta akredituar këtë kurs nga Komanda e Aleancës për Transformim”, deklaroi Kodheli.

Një tjetër pikë ku ajo u ndal ishte Qendra e Ekselencës për të adresuar fenomenin e luftëtarëve të huaj terroristë. “I kemi kaluar etapat e nevojshme në dimensionin politik të NATO-s. Kemi mbështetjen e shumë vendeve aleate dhe kemi nisur negociatat për ta akredituar si qendër ekselence të NATO-s. Është pikërisht puna juaj, të nderuar punonjës të KDS, që duhet të na nderojë edhe në planin ndërkombëtar”, nënvizoi ministrja.

Top Channel