Kosovë, demarkacioni do të riprocedohet në Kuvend

05/09/2016 00:00

Qeveria e Kosovës pritet ta riprocedojë në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, menjëherë pasi të fillojë sesioni i ri i vjeshtës.

Zyrtarët qeveritarë thonë se nuk kanë ndonjë afat kohor se kur do ta bëjnë këtë, por kjo do të ndodhë shumë shpejt në organin ligjvënës për shkak të proceseve të rëndësishme, siç është liberalizimi i vizave.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe këshilltari i kryeministrit, Bajram Gecaj thotë se në ditët e ardhshme pritet të konsultohen me partnerët e koalicionit, para riprocedimit të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk ka ndonjë afat të caktuar, por për shkak të proceseve të rëndësishme, si rasti i liberalizimit të vizave, duhet ta rikthejmë në Kuvend sa më parë që të jetë e mundur. Besoj, pas konsultimeve në ditët e ardhshme mes partnerëve të koalicionit”, ka thënë Gecaj për gazetën “Zëri”.

Në seancën e së enjtes, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e tërhoqi këtë projektligj, duke thënë se një grup parlamentar ka kërkuar lëshime si kusht për ta votuar demarkacionin.

Top Channel