Kosovë, Çollaku: Pres votim pozitiv nga LIBE. Demarkacioni, jo pengesë

05/09/2016 00:00

Komiteti për të Drejtat Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) i Parlamentit Europian pritet të votojë pasditen e kësaj të hëne për liberalizimin e vizave për Kosovën, një hap pararendës ky, para se Parlamenti Europian të vendosë nëse qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.

Lidhur me këtë, ministri i Integrimit Europian Bekim Çollaku ka thënë për “Telegrafin” se, votimi pozitiv i sotëm nga ana e “LIBE” do të lejonte që ky proces të ecë përpara.

“Besoj se të gjithë janë të vetëdijshëm mbi kërkesat e institucioneve të BE-së, përfshirë këtu edhe Parlamentin Europian, por duke qenë se ky votim nuk është përfundimtar, shpresoj dhe pres që eurodeputetët të tregojnë mbështetjen e tyre në këtë fazë. Kjo do të ishte një ndihmëse, që procesi të ecë përpara”, u shpreh Çollaku.

Ai ka sqaruar procedurën e votimit të sotëm, duke thënë se vendimi përfundimtar merret nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

“Së pari, mendoj se ekziston një konfuzion në lidhje me këtë votim në komisionin e Parlamentit Europian për të Drejtat Civile, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme (LIBE). Gjë që nuk është për t’u habitur, sepse procesi i vendimmarrjes në BE nuk është fare i thjeshtë. Votimi pozitiv i sotëm do të lejonte që ky proces të ecë përpara, por nuk është vendim përfundimtar i Parlamentit Europian, sepse kjo duhet të ndodhë në një seancë plenare të mëvonshme të PE-së. Pas përfundimit të procedurave në kuadër të Parlamentit Europian, duhet edhe pëlqimi i shteteve anëtare të Bashkimit Europian, për të miratuar propozimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave”, tha Çollaku.

Votimi në komitetin “LIBE” ishte parashikuar të bëhej në korrik të këtij viti, por u shty për më 5 shtator, me shpresën se politikanët e Kosovës do të arrinin një pajtueshmëri për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Mirëpo javën e kaluar, në Kuvendin e Kosovës u pezullua votimi për marrëveshjen me Malin e Zi, sepse Qeveria e Kosovës e tërhoqi projektligjin me arsyetimin e “mungesës së kushteve”.

Top Channel