PD: Rama hesht për parcelën pranë Rinasit. I jep 870 mln ndërtuesit të tij

05/09/2016 00:00

Kreut i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar këtë të hënë se, “dy ditë nga denoncimi me prova, foto dhe video për 50 mijë rrënjë drogë 2 kilometra larg aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, Edi Rama hesht”.

“Dhe Tahiri i tij, që së fundmi organizon ture festive nëpër ca parcela me kanabis, nuk u shfaq. Pse? Sepse këto 6 hektarë me drogë, 2 kilometra larg Rinasit, 20 kilometra larg zyrës së Edi Ramës, janë me leje. Janë të paprekshme. Janë të Bushit”, ka deklaruar Alibeaj.

Sipas tij, “të gjithë kanë dijeni” për këtë parcelë, “nga operativi i zonës, polici që ka shtëpinë ngjitur, shefi i komisariatit, drejtori i policisë e deri tek Tahiri e Rama, por e fshehin, e ruajnë dhe po bëhen gati ta vjelin e ta hedhin në treg”.

“Pas denoncimit tonë dy ditë më parë, policia ka bërë sikur ka ndërhyrë në një pjesë të parcelës. Ndërkohë që pjesa më e madhe qëndron aty dhe po nxitohet të mblidhet edhe në këtë moment që flasim”, ka vijuar Alibeaj.

Ai ka theksuar se, ky është një sundimi i pastër i bandave të drogës në vend. “Biznesi kriminal që bëhet në zemër të vendit, me lejen e Edi Ramës, i cili është në krye të skemës së 30 për qind të përfitimit. Ka ardhur koha që shqiptarët të bashkohen, të ngrihen e të pastrojnë vendin nga droga, nga trafikantët e nga kumbarët në qeveri. Shqipëria meriton zhvillim e punë të ndershme, jo krime e drogë. Shqipëria dhe shqiptarët më mirë pa Edi Ramën”, ka shtuar Alibeaj.

PD: Rama, 780 milionë lekë të tjera ndërtuesit personal

Ndërkohë, në një denoncim tjetër, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa ka akuzuar kryeministrin Rama se thellon aferat duke u dhënë qindra milionë lekë biznesmenëve të afërt me të.

“Një vit më parë, Partia Demokratike denoncoi aferën e rregullimit të zyrave të OSHEE, ku Çarapuli, ndërtuesi personal i Edi Ramës, kapi këtë tender si fitues i paracaktuar, edhe pse operatori i dytë në garë u paraqit me 740 milionë lekë më pak. Çarapuli mori tër fondin limit, 4.5 miliardë lekë, për rregullime zyrash, që do të mjaftonin për të bërë dy godina të reja nga fillimi. Pas një viti, Edi Rama i bën dhe një dhuratë tjetër ndërtuesit të tij personal, i jep shtesë kontrate edhe 870 milionë lekë të tjera, nga paratë e shqiptarëve, nga paratë e gjakut të shqiptarëve”, ka deklaruar Zhupa.

Duke theksuar se bëhet fjalë për “870 milionë lekë të tjera për të të njëjtën aferë të pistë korrupsioni”, Zhupa ka saktësuar se, “870 milionë lekë janë edhe 580 pensione në qytet, 1.055 pensione në fshat dhe 1.270 pagesa papunësie”.

“Por janë para që ndahen, plaçkiten prej Edi Ramës dhe oligarkëve të tij, ndërsa popullit i mbetet burgu, varfëria, emigracioni. E gjithë shuma për Çarapulin, për të rregulluar zyrat e bandës së OSHEE-së që lë në errësirë, fut në burg dhe merr dhe jetën e të pamundurve, shkon në 5 miliardë e 400 milionë lekë. 5 miliardë e 400 milionë lekë merr me një të rënë të lapsit ndërtuesi personal i Edi Ramës, për të regulluar godinën e një prej hajdutëve më të mëdhenj të Edi Ramës, Çelës së OSHEE”, ka vijuar Zhupa.

Sipas PD, “ky është sundimi i korrupsionit, i hajdutëve, i zhvatësve të parave të shqiptarëve”. “Është koha për tu bashkuar, është koha që qytetarët ta ndalin këtë maskaradë. Shqipëria nuk meriton të trajtohet si plackë. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, ka shtuar zëdhënësja e kësaj partie.

Top Channel