Operacion në zemër për Beckenbauer

05/09/2016 00:00

Franz Beckenbauer shfaq probleme shëndetësore. Legjenda e futbollit gjerman i është nënshtruar një operacioni në zemër për të aplikuar një “by pass”, lajm që u publikua nga e përditshmja gjermane “Bild”, sipas së cilës, “Kaiseri” i futbollit gjerman u shtrua në një klinikë në jug të Gjermanisë.

Gjithnjë sipas të përditshmes “Bild”, ky operacion nuk ishte diçka urgjente, por një ndërhyrje e planifikuar prej disa javësh. Sipas të përditshmes gjermane, operacione si ai i Beckenbauer kërkojnë që pacienti të qëndrojë në spital për 7-10 ditë dhe kjo do të thotë se legjenda e futbollit gjerman do të festojë 71-vjetorin në klinikë.

Ndërhyrja kirurgjikale e Beckenbauer u krye vetëm një ditë pas kontrollit nga ana e policisë së banesës së “Kaiserit”, në Salzburg. Ish-futbollisti dhe trajneri i kombëtares gjermane është vënë nën hetim nga drejtësia zvicerane për pastrim parash dhe mashtrim kur Gjermania fitoi të drejtën për të organizuar botërorin e vitit 2006.

Gjithashtu, nën hetim për këtë çështje janë vënë edhe tre anëtarë të Komitetit Organizativ të Botërorit të atij viti.

Top Channel