Londra ripërjeton zjarrin e vitit 1666. Këtë herë pa tragjedi

05/09/2016 00:00

Kryeqyteti anglez ka përjetuar edhe njëherë zjarrin e madh që përfshiu vendin 350 vite më parë. Rikrijimi i Londrës së shekullit të XVII përmes një maketi gjigant prej druri, e me pas djegia e tij, ka qenë një mënyrë shumë e veçantë për shënimin e përvjetorit të tragjedisë.

Turma njerëzish u mblodhën buzë lumit “Tamiz” për të parë maketin prej 120 metrash ndërsa përfshihej nga flakët. Zjarri që ra në vitin 1666 zgjati 4 ditë, duke shkatërruar pjesën më të madhe të qytetit, që përbëhej kryesisht nga ndërtesa prej druri.

Ai i hapi rrugën një rikonstruksioni masiv, përfshirë ndërtimin e Katedrales së sotme të Shën Palit. Më shumë se 13 mijë shtëpi, biznese dhe struktura u shkatërruan. Pas tragjedisë, në kryeqytet filloi të përdorej guri si material ndërtimi, ndërsa u krijuan gjithashtu shërbimet zjarrfikëse dhe një industri sigurimesh.

Djegia e maketit u zhvillua si pjesë e shfaqjes “London Burning”, që kujton zjarrin e madh, e që u mbajt nga 30 gushti më 4 shtator. Gjatë tij u shfaqën një seri instalacionesh artistike, performanca, biseda dhe ture.

Top Channel