Gjermani, Merkel pëson disfatën e parë përpara zgjedhjeve të vitit 2017

05/09/2016 00:00

Partia qeverisëse e Angela Merkelit, CDU ka pësuar një humbje të rëndë në shtetin verilindor të Gjermanisë, Mecklenburg-Western Pomerania, duke u renditur e treta pas një partie antiemigracioni dhe kundër Islamit, pas zgjedhjeve të zhvilluara një ditë më parë atje.

“Alternativa për Gjermaninë” (AfD) siguroi 21 për qind të mbështetjes atje, duke u renditur e dyta pas partisë së qendrës së majtë, SPD me 30 për qind të votave.

CDU-ja e Kancelares gjermane mori vetëm 19 për qind të votave, duke shënuar kështu rezultatin më të keq ndër vite në shtetin në fjalë. Vota atje shihej si një test vendimtar përpara zgjedhjeve parlamentare të Gjermanisë në vitin 2017.

Përpara votimit në Mecklenburg-West Pomerania, dikur pjesë e Gjermanisë Lindore, të gjitha partitë e tjera gjermane përjashtuan mundësinë e formimit të një qeverie koalicioni me “AfD”-në. Por kjo e fundit, parti e formuar vetëm 3 vite më parë, është e pranishme në 9 prej 16 parlamenteve shtetërore të Gjermanisë.

Disa prej politikanëve të lartë të CDU-së e quajtën këtë rezultat si katastrofik, ndërsa Wolfgang Bosbach tha se mbërritja e qindra e mijëra emigrantëve pa dokumente ka ndikuar ndjeshëm në votën në favor të “AfD”-së.

Nën udhëheqjen e Merkelit, Gjermania ka strehuar një numër të lartë refugjatësh dhe emigrantësh, rreth 1.1 milionë gjatë vitit të kaluar, ndaj dhe ndjenjat antiemigracion jashtë shtuar së tepërmi.

“AfD”-ja, e cila fillimisht u krijua si një parti antieuropiane, ka parë një rritje të shpejtë, teksa ka siguruar votat e qytetarëve të zhgënjyer nga politika e Merkelit, ajo e “dyerve të hapura” ndaj emigrantëve.

Megjithatë, fuqia politike e kësaj partie antiemigracion është e kufizuar dhe kritikët e akuzojnë atë se po nxit ksenofobinë.

CDU-ja e Merkelit ka qenë partneri “i vogël” i koalicionit në Mecklenburg-West Pomerania që prej vitit 2006 dhe pritet të mbetet sërish në qeverisje. Megjithatë, përkrahja prej 19% në këto zgjedhje rezulton edhe si përkrahja më e ulët në këtë shtet, siç bëjnë të ditur mediet gjermane.

Top Channel