Prokuroria, si u vra polici. Kërkohet burg për David Qosajn

04/09/2016 00:00

Prokuroria ka zbardhur gjithë dinamikën e ngjarjes që nisi mesditën e 2 shtatorit kur policia mori njoftim se David Qosja i armatosur qëllonte me armë. Policia kërkoi ndihmën e FNSH-së e cila me dy autoblinda i është afruar banesës së 27-vjeçarit.

Pasi është organizuar lëvizja e forcave, mjeti tip blind në të cilin ndodheshin Ardian Kodra drejtuesi i mjetit, si dhe tre policë është ndalur pranë banesës. Sipas prokurorisë, për shkak të terrenit, udhëheqësit e operacionit orientuan Ardian Kodrën të spostohej disa metra më tutje për të patur një fushë pamje më të plotë të shtëpisë së David Qosajt.

Duke qënë se tashmë pjesa ballore e objektit ishte nën kontroll, por nuk ishte siguruar plotësisht perimetri i banesës së të dyshuarit një grup punonjësish të policisë kanë lëvizur në drejtim të pjesës së pasme.

Pas pak sekondash është parë drejtuesi i blindit, Ardian Kodra i cili ka dalë nga mjeti dhe është pozicionuar thuajse përballë banesës prapa një peme dhe i ka thënë shokëve të tij se është qëlluar.

Po në këtë moment, Ardiani, me armë në dorë ka thërritur emrin e të dyshuarit David dhe pas kësaj janë dëgjuar përsëri breshërima armësh dhe dikush nga një pozicion tjetër ju ka thënë se “është vrarë Ardiani”.

Priokuroria duke treguar kronologjinë e ngjarjes, shpjegon se pasi është qëlluar, Ardian Kodra është marrë me mjet të blinduar dhe është dërguar në spital, por me gjithë mjekimin nuk mbijetoi.

Prokuroria del në konkluzion se nga dinamika e zhvillimit të ngjarjes, pozicionimi i forcave policore në raport me banesën dhe vendqëndrimin e të dyshuarit, qitjet e këtij të fundit, dëmet e shkaktuara në mjetin blind të shërbimeve policore rezulton se krahas faktit tashmë të qartë se këto qitje kanë marrë jetën e shtetasit Ardian Kodra, ata në mënyrë të drejtëpërdrejtë kanë rrezikuar dhe jetën e punonjësve të tjerë të policisë të ndodhur pas mjetit blind në momentin e qëllimit ndaj tij e konkretisht atë të shtetasve V.T dhe E.B.

Top Channel