Vëllezërit e shenjtores; Murgjit e urdhrit të nënë terezës kujdesen për të sëmurët në Bushat

04/09/2016 00:00

Ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës është ndjekur nëpërmjet Top Channel, me kureshtje dhe lumturi në një shtëpi në Bushat. Ajo është shtëpia e “Misionarëve të dashunisë, Vëllazënit Konteplativë Nanë Tereza”.

Në këtë shtëpi ka njerëz me aftësi të kufizuara, të cilët ushtrohen dhe bëjnë jetën e tyre nën kujdesin e misionarëve.

“Ne kemi ardhur për herë të parë në Shqipëri si mision nga motrat e Nënë Terezës. Motrat kanë pasur nevojë për priftërinj. Atë Sebastiani e ka hapur këtë shtëpi dhe kishën në 1991. Njerëzi në Bushat donin të shihnin të gjithë meshën, pavarësisht gjuhës. Sot shenjtërimi i Nënë Terezës na ka bërë shumë të lumtur, ka bërë gjithë botën të lumtur.”

Nga kjo ditë vëllezërit shprehen se kanë një fuqi më të madhe për t’u lutur dhe besuar. Ashtu si vetë misioni i shenjtores Nënë Terezë kishte të rëndësishëm kurajon për më të fortët, për të sëmurët, për të varfrit dhe ata që nuk kanë mundësi të kujdesen për vetë.

Kjo është një nga zonat më të varfra në Shqipëri dhe kjo shtëpi është pak për të strehuar një numër më të madh. Kjo është arsyeja që misionarët shpesh shkojnë në fshatrat përreth për t’i ndihmuar njerëzit me veshmbathje dhe ushqime.

Ndërsa si kjo shtëpi në Bushat, ka gjithsej shtatë të tilla në botë.

“Në të gjithë botën si kjo shtëpi janë plot shtatë të tilla. Në tre prej tyre këta vëllezër kujdesen për të sëmurët dhe njerëzit hantikapë. Në një prej tyre kujdesen për të pastrehët. Por njëkohësisht në të gjitha shtëpitë ne kujdesemi për të varfrit.”

Top Channel