G20 mblidhet në Kinë; SHBA e Kina do nënshkruajnë marrëveshjen për klimën

04/09/2016 00:00

Është hera e parë që Kina i hap dyert samitit të nivelit të lartë të G20 ku liderët botërorë janë mbledhur në një takim  dy ditor në Hangzhou, pjesë e provincës lindore të Zhejiang për të diskutuar sfidat më të mëdha globale. Presidenti kinez Xi Jinping çeli i pari fjalën në samit.

“Ekonomia po rimëkëmbet, por është përballur me sfida të shumta në sektorin financiar dhe atë të tregtisë. Por kundrejt rreziqeve dhe sfidave të mëdha me të cilat përballet ekonomia botërore, bashkësia ndërkombëtare ka shpresa të mëdha tek ky samit”.

Përpara samitit të liderëve në Kine, Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk dha parashikimin e pritshëm për rritjen ekonomike duke ulur atë në 3.1% për vitin 2016 dhe 3.4% për vitin 2017.

Ndërkaq ky është samiti i fundit për Barack Obamën si President dhe hera e parë për Theresa May si kryeministre.

Presidenti Obama nuk u kursye kur tha se detyra e parë e Britanisë është të kuptoje se çdo të thotë Brexit, jo vetëm për vendin, por për të gjithë komunitetin ndërkombëtar.

Ai shtoi se Britania e Madhe nuk do të jetë prioritet për marrëveshjen e tregtisë së SHBA ndërsa  Japonia publikoi një raport prej 15-faqesh lidhur me pasojat e Brexit.

Me herët në intervistën e saj të parë si kryeministre Theresa May tha se Britania duhet të përgatitet për kohë të vështira përpara. Po ashtu përpara samitit, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, njoftuan  ratifikimin e marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimaterike.

Barack Obama nuk u nderua me tapetin e kuq kur zbriti nga Air force One, që është pjesë e rëndësishme e protokollit duke ngritur një pikëpyetje të madhe për neglizhencën e autoriteteve kineze.

Top Channel