Java antikanabis, u shkatërruan 120 mijë rrënjë. 140 të arrestuar nga policia

04/09/2016 00:00

Rreth 120 mijë rrënjë hashash, të kultivuara në më shumë se 140 parcela, janë asgjësuar nga policia vetëm gjatë 7 ditëve në fundit, në aksionet antikanabis të shtrira në mbarë vendin.

Sasia më e madhe është konstatuar në zonën e Dukagjinit, ku uniformat blu vetëm në një ditë asgjësuan 25 mijë bimë, ndërsa në pranga përfundoi edhe kreu i Njësisë Administrative Pult, të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike në banesë.

Ndërkohë në një tjetër operacion, në zonën e grykëderdhjes së Poçemit përgjatë shtratit të lumit Vjosë, policia gjeti dhe shkatërroi fermën më të madhe të kultivimit të kanabisit të zbuluar ndonjëherë, duke asgjësuar 40 mijë bimë që vaditeshin nga një sistem i sofistikuar.

Në total, vetëm për këtë vit policia deklaron se ka asgjësuar rreth 1.6 milionë bimë, ndërsa në pranga kanë përfunduar 140 persona, kryesisht punëtorë.

Operacionet antikanabis po zhvillohen në bashkëpunim edhe me “Interforza”-n italiane, që ka bërë të mundur konstatimin e parcelave të kultivuara falë monitorimit nga ajri.

Për asgjësimin e bimëve janë angazhuar në front të parë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat në zona të caktuara janë dislokuar edhe për ditë më radhë. Për këta të fundit, burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se është menduar që të shpërblehen për shërbimin e kryer, ndërsa operacionet antikanabis pritet të vijojnë edhe gjatë dy javëve të ardhshme.

Top Channel