Rruga drejt Shenjtërimit, nga Shkupi në Indi

04/09/2016 00:00

Ai që sot ngrihet në nivelin e një metropoli, por dikur ishte një qytet i varfërisë së skajshme, është vendi ku një vajzë shtatvogël do të vendosej në moshën e brishtë 19-vjeçare pas largimit nga vendlindja e saj, Shkup.

Ishte viti 1929 dhe Anjeze Gonxhe Bojaxhi fillimisht u angazhua me mësimdhënien në shkolla për vajza. Nga këtu e deri në shndërrimin në “shenjtorën e tëvarfërve”, siç e njohim sot, ka në mes një punë të palodhur e vetëmohuese me të vobektët e të vobektëve, me ata që ishin me një këmbë në varr, me të përçudnuarit, lebrozët e jetimët.

Të dielën, Nënë Tereza u kthye në shenjtore të kishës katolike vetëm 19 vjet nga vdekja e saj. Urdhrin Misionaret e Bamirësisë, murgesha e kthyer në zërin e të pashpresëve e themeloi në vitin 1950 me vetëm 12 motra. Sot numëron 5.161 të tilla në 139 shtete të botës. Trashëgimia e saj është sot më e fuqishme se kurrë.

“Kur shikonte njerëz nëpër rrugë që shtriheshin pranë kazaneve të mbeturinave e hanin aty ç’të gjenin, asaj i çahej zemra. Nënë Tereza donte një vend ku të mblidheshin këta njerëz e ku dikush të kujdesej për ta. Donte t’iu jepte një jetë me dinjitet”, kujton Motër Nicole.
 
Fituesja e Nobelit të Paqes shihet si një prej grave më me influencë në historine 2 mijë vjeçare të kishes.

“Ajo pati jetën e një shenjti. Jetoi dhe e ndau jetën e saj me të tjeret, ndaj në sytë e njerëzve dhe në sytë e Zotit, jam i bindur se ajo ka bërë punën e Zotit”, thotë At Xavier Jairaj.

Portreti i Nënë Terezës që u përdor gjatë ceremonisë së shenjtërimit të saj në Sheshin Shën Pjetër të dielen u prezantua në Uashington nga artisti Chas Fagan, si i specializuar në portretet dhe skulpturat e presidenteve dhe politikanëve amerikanë. Kërkesa iu bë atij nga organizata Knights of Columbus, e cila ka mbrojtur gjithmonë punën e Nënë Terezës në Kalkuta.

Top Channel