Refugjatat në Europë, Tusk: Jemi pranë limitit të pranimit

04/09/2016 00:00

Europa është shumë pranë limitit të pranimit të refugjatëve. Ky është alarmi i ngritur nga presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili njëherësh i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për të bërë më shumë punë në zhvendosjen e atyre personave që kërkojnë strehim.

Tusk tha se kapaciteti i kontinentit të vjetër për të pritur një tjetër valë të re refugjatësh është i kufizuar. Për këtë arsye, presidenti i KE-së u bëri thirrje udhëheqësve botërore të mbledhur në samitin e G20.

“Në një situatë të paprecedentë, ku mbi 65 milionë njerëz janë zhvendosur nga mbarë bota, komunititeti i G20-s duhet të tregojë përgjegjësi. Vetëm përpjekja globale do të sjellë frutin e kësaj pune. Prandaj ne duam të inkurajojmë partnerët tanë për të rritur ndihmat humanitare. Kemi nevojë të shqyrtojmë shkaqet rrënjësore, që detyrojnë miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim diku tjetër”, tha Donald Tusk.

Në një nga fjalimet e saj elektorale, Angela Merkel deklaroi se ata që nuk kanë lejen për të qëndruar në vend do të largohen menjëherë. Ndërsa  disa ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën vendimin për të strehuar 10 mijë refugjatë sirianë, një numër i konsiderueshëm ky krahasuar me faktin se vendi, që kur ka nisur lufta civile në Siri ka pranuar vetëm 1.900 njerëz.

Megjithatë, Uashingtoni sërish mbetet prapa Turqisë me këtë vendim, pasi qeveria e Ankarasë ka hapur dyert për 2.7 milionë refugjatë sirianë.

Top Channel