Mijëra pelegrinë nga e gjithë bota morën pjesë në 19 tetorin e 2003-it në ceremoninë e lumturimit të Nënë Terezës në Vatikan. 15 mijë prej tyre ishin shqiptarë të ardhur nga e gjithë bota.

Praninë e tyre e bën mëse të dukshme flamuri i madh shqiptar i shpalosur në sheshin e Shën Pjetrit. Një pjesë mbanin në duar flamuj të vegjël kuqezi, në shprehje të hapur krenarie që ngjallte tek shqiptarët në atë shesh, por edhe tek të gjithë të tjerët, Lumturimi i njeriut simbol të përkushtimit ndaj të varfërve dhe dashurisë për Zotin. Ata që ishin atëherë të pranishëm në shesh nuk i përmbanin dot emocionet.

Figura dhe personalitete nga e gjithë bota ndoqën ceremoninë e Lumturimit të Nënë Terezës, por delegacioni më i madh ishte ai i Kosovës, i kryesuar nga Presidenti Ibrahim Rugova, i cili përbëhej 150 vetë, ndërsa delegacioni i Shqipërisë kishte vetëm 26 anëtarë. Në krye të tij ishte Presidenti i atëhershëm, Alfred Moisiu, ish-nënkryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ish-ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Arta Dade, ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe ish-Presidenti Rexhep Mejdani. I pranishëm ishte edhe një delegacion i Maqedonisë i drejtuar nga Presidenti i atëhershëm, Boris Trajkovski.

Ceremonia e Lumturimit nga Papa Gjon Pali II nisi në orën 10:00. Muzika indiane u gërshetua me himnet tradicionale për të nderuar murgeshën që ia kushtoi jetën nevojtarëve. Për të ndjekur shërbesën, që nderonte kaq lart murgeshën trupvogël, por me zemër të madhe, ishin thërritur edhe 2 mijë të varfër e të sëmurë, që shoqëroheshin nga murgeshat e Nënë Terezës.

Arqipeshkvi i Kalkutës, Lupa Sirka, lexoi biografinë e murgeshës më të famshme të botës dhe më pas Papa Vojtila çeli ceremoninë e lumturimit.

“Motra dhe vëllezër, edhe në këto ditë Zoti na sugjeron modele të reja të shenjtërimit”, tha Papa, i cili dukej i dobët fizikisht e për këtë arsye predikimi u lexua nga ndihmësit e tij.

“Nënë Tereza gjendje kudo për t’i shërbyer Krishtit, ajo gjendje në vendet e varfra. Atë nuk e mposhtën dot as konfliktet dhe luftrat”, thuhej në fjalën e Papës.

Në përfundim të ceremonisë madhështore, Presidenti Moisiu i dhuroi Papa Gjon Palit II një skulpturë të argjendtë të Nënë Terezës. Disa javë më parë, qeveria maqedonase kishte vendosur t’i dhuronte Vatikanit një statujë të Nënë Terezës në të cilën shkruhej se ajo ishte shtetase maqedonase, çka krijoi tensione mes zyrtarëve shqiptarë dhe atyre maqedonas. 

Festimet për lumturimin e Nënë Terezës vazhduan edhe gjatë pasdites. Orkestra e harqeve “Nënë Tereza”, nën drejtimin e Ylli Lekës organizoi një koncert simfonik për nder të Gonxhe Bojaxhiut në Kishën Santa Maria të Vatikanit. Kremtimet e ditës së madhe u mbyllën me premierën e filmit kushtuar bamirëses shqiptare, që u transmetua në Selinë e Shenjtë.

Top Channel