“Ne kemi ardhur në këtë jetë nga dashuria, jemi të ndërtuar nga dashuria dhe jemi krijuar për të dashur”. Shprehje të tilla burojnë vetëm nga shpirti i njerëzve që si udhërrëfyese të jetës kanë dashurinë, ashtu sikurse ishte Nënë Tereza.

Ishte pikërisht viti 1979 kur  bota nderoi një nga bamirëset më të shquara, atë që gjithë jetën e saj ja kushtoi një misioni fisnik; të jetë pranë atyre që kanë më shumë nevojë për dashuri; të varfërve dhe të përjashtuarve nga shoqëria.

Çmimi Nobel për paqe, iu dha pikërisht për kontributin e saj në këtë kauzë globale. Një duartrokitje e embël dhe e gjatë e priti Nënë Terezën, ndërsa u ngjit në podium.

Gjithë salla e shihte me admirim Gonxhe Bojaxhiun, kur mbajti fjalimin e lutjes, madje të gjithë në sallën e Oslos bashkuan duart e nisën të luten me të. Për Nënë Terezën, varfëria nuk është vetëm materiale.

“E kam prekur varfërinë kudo, jo vetëm në vendet e varfra, por kam gjetur varfërinë edhe në Perëndim, ku është shumë më e vështirë për t’u çrrënjosur; varfëria e shpirtit. Nëse një person lihet jashtë i padëshiruar dhe i vetmuar nga të tjerët, është një plagë po aq e madhe sa ajo që mos të kesh me ç’të ushqehesh”, do të deklaronte shenjtorja.

Të dyja llojet e varfërisë dhëmbin njesoj për të.Bamirësja me origjinë shqiptare kujtoi një rast të dhimbshem, i cili edhe sot është po aq i prekshëm.

“Do t’ju duket e çuditshme, por disa kohë më parë i dhashë një fëmije në rrugë pak bukë për t’u ushqyer. Fëmija filloi ta hante ngadalë, ndërsa unë i thoja haje bukën. Aty ai më vështroi në sy dhe më tha: kam frikë ta ha pasi kur ta mbaroj këtë copë buke do të jem sërish i uritur”, rrëfente Nënë Tereza.

Në vazhdën e thirrjeve për të shpërndarë sa më shumë dashuri, Nënë Tereza dënoi ashpër një nga aktet që e cilësoi shkatërrues: abortin e fëmijëve.

“Të abortosh do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje dhe nëse një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!”, deklaronte bamirësja.

Me këtë thirrje Nënë Tereza zbriti nga podiumi i asaj ceremonie aq modeste, që të tillë e kishte kërkuar vetë prej fillimit. Edhe shumën prej  192 mijë dollarësh, ajo sigurisht që ua dhuroi të varfërve në Indi.

“Unë kam bërë gjëra te vogla, por me dashuri të madhe!”, do të thontë ajo.

Top Channel