Tiranë, përurohet pllakata përkujtimore e Shën Terezës

04/09/2016 00:00

Me rastin e ditës së shpalljes së Nënë Terezës shenjtore, Bashkia Tiranë përuroi pllakatën përkujtimore në nder të saj, e vendosur në sheshin që mban të njëjtin emër.

Në ceremoninë e rastit ishin të pranishëm kryebashkiaku Erion Veliaj, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe shumë personalitete të tjera. Në fjalën e tij, Veliaj u tha të pranishmëve se Shën Tereza është e të gjithëve dhe jo vetëm e shqiptarëve.

“Më vjen mirë që bashkë me Mirelën dhe shumë kolegë të tjerë, modestisht Tirana u bashkohet shumë festimeve që po zhvillohen. E kur këto ceremoni të kenë mbaruar, kur sot secili prej nesh të mbyllë ditën në shtëpinë e tij, do të kemi për herë të parë një titull të ri, do ta quajmë Shën Tereza. Shën Tereza jo vetëm e shqiptarëve, e Kalkutës, por e të gjithëve për të treguar në fakt se misioni i saj është botëror. Edhe nga një vend i vogël e modest si Shqipëria mund të lindin shenjt e shenjtore, që frymëzojnë të gjithë botën me veprën e tyre”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Veliaj bëri edhe një paralelizëm ndërmjet veprës së Nënë Terezës për botën dhe veprës së mirë që çdo qytetar i Tiranës bën në përditshmërinë e tij.

“Dhe për të gjithë ata heronj të padukshëm të qytetit tonë, që këtë mision të Nënë Terezës e kanë brendësuar si misionin e tyre e që çdo ditë shërbejnë me dashuri, qoftë në një funksion publik, apo edhe në privatësinë e shtëpisë së tyre, lagjes apo komunitetit të tyre, apo vendit ku ushtrojnë aktivitetin e tyre, ne ju përkulemi me mirënjohje. Ndoshta nuk do të merrni titullin Shenjt, por ju jeni shenjtorët e vërtetë të Tiranës, sepse kuroni me dashuri çdo ditë problemet e mëdha të qytetit tonë”, u shpreh më tej Veliaj.

Top Channel