Nënë Tereza, shenjtore. Ceremonia e shenjtë në Vatikan u drejtua nga Papa Françesku

04/09/2016 00:00

Nënë Tereza u shpall Shën Tereza e Kalkutës në një ceremoni madhështore fetare në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan. Ceremonia u drejtua nga Papa Françesku u cili bëri edhe shpalljen e shenjtërimit para dhjetëra mijë pelegrinëve që mbushën sheshin qendror të selisë së shenjtë.

Ky shenjtërim foli shqip. Në këtë shesh ishin me mijëra shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e shumë vende të tjera. Ndërsa pjesë e ceremonisë ishin klerikët shqiptarë që bënë edhe lutjen e parë në gjuhën shqipe.

Mesha është drejtuar nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku i cili mbajti liturgjinë Eukaristike solemne dhe ritin e kanonizimit.

“Vullnetarët nuk presin as falënderime, as mirënjohje. Secili prej nesh mund të thotë se sikurse Zoti erdhi të më takojë kur kisha nevojë, ashtu edhe unë po eci drejt Tij dhe dua t’u shkoj në ndihmë atyre që kanë nevojë, familjeve në krizë, të sëmurëve, të burgosurve, të dobëtëve, emigrantëve, minorenëve të braktisur, ashtu sikurse edhe të moshuarve”, tha Papa Françesku.

Përpara mijëra pelegrinëve, ai lartësoi veprën e Gonxhe Bojaxhiut në tokë duke kërkuar nga mijëra të pranishmeve që ta përdorim si frymëzim në përditshmërinë tonë.

“Kudo qoftë një dorë që kërkon ndihmë, aty duhet të jetë prania jonë, dora e Kishës që mbështet dhe dhuron shpresë. Nënë Tereza ka qenë bujare, duke mundësuar pranimin për të gjithë dhe të mbrojtës së jetës njerëzore. Ajo është përkul mbi persona që ishin braktisur nëpër rrugë duke u njohur dinjitetin që u ka dhënë Zoti”, vijoi Ati i Shenjtë.

Kardinali Angelo Amato lexoi një biografi të punës së Nënë Terezës dhe pyeti Papa Françeskun për kanonizimin e saj. Ati i Shenjtë u përgjigj:

“Ne deklarojmë dhe e shpallim te bekuarën Tereza të Kalkutës një shenjt dhe e vëmë atë në mesin e shenjtorëve të tjerë të cilët nderohen nga kisha dhe besimtarët katolikë. Nënë Tereza nisur nga sot do të njihet si Shën Tereza e Kalkutës”, deklaroi Papa Françesku.

Bota e ka tashmë një shenjtore, e cila punoi gjithë jetën e saj për njerëzimin, për njerëzit dhe vlerat e jetës. Por prej sot edhe ne shqiptarët do kemi shenjtoren tonë e cila flet shqip në shtëpinë e Zotit, pikërisht në një kohë kur kemi shumë nevojë për ndihmën e tij.

Top Channel