Brexit, May paralajmëron: Kohë të vështira për Britaninë

04/09/2016 00:00

Britania duhet të përgatitet për kohë të vështira përpara, pasi të largohet nga Bashkimi Europian. Ky është paralajmërimi i bërë nga vet kryeministrja britanike, Theresa May. Duke folur për intervistën e parë të rëndësishme që prej marrjes së postit, May bëri të ditur se “Brexit” nuk do të jetë thjesht një “lundrim me vela” për Britaninë e Madhe.

Ajo shtoi se bisedimet formale me BE-në nuk do të nisin përpara vitit 2017, por premtoi gjithashtu se procesi nuk do të zvarritej së tepërmi. Kryeministrja britanike përjashtoi gjithashtu mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke thënë se Britania ka nevojë për “qëndrueshmëri”.

Ish-Sekretarja e Brendshme u bë kryeministre pas dorëheqjes së David Cameron, si pasojë e rezultatit të referendumit, ndërsa procesi i “Brexit”-it pritet të dominojë edhe vitet e para të udhëheqjes së saj.

E ndërsa foli përpara se të udhëtojë drejt Kinës, ku do të mbahet samiti i G20-s, May tha se ajo nuk pretendon aspak që largimi nga unioni të jetë thjesht një “lundrim me vela”, pavarësisht shifrave pozitive ekonomike që janë ruajtur në vendin ishullor edhe pas referendumit.

“Kemi pasur shifra të mira, madje më të mira nga sa kishin parashikuar disa nëse do të ndodhte kjo që ndodhi. Nuk pretendoj, gjithsesi, që gjithçka do të shkojë po kaq mirë edhe në të ardhmen. Mendoj se ne duhet të përgatitemi për faktin se, përpara mund të hasim kohë të vështira. Megjithatë unë jam optimiste”, tha Theresa May.

Ajo këmbënguli se dalja e Britanisë nga BE-ja do të jetë e suksesshme dhe se ndihet optimiste gjithashtu edhe për mundësitë e reja që do të krijohen për vendin e saj jashtë BE-së. Kryeministrja tha se dëshironte “një Britani të pavarur, e cila do të kishte rrugën e saj në mes të kësaj bote”.

Përpara samitit të G20-s, ajo u takua për bisedime edhe me presidentin amerikan, Barack Obama. Duke folur pas takimit, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara do të konsultohen së afërmi me Britaninë mbi negociatat për “Brexit”-in, në mënyrë që të sigurohen se nuk do të ketë asnjë efekt të padëshirueshëm në marrëdhëniet tregtare mes SHBA-ve dhe Britanisë.

“Do të bëjmë gjithçka mundemi për t’u siguruar se pasojat e këtij vendimi nuk do të përfundojnë duke spastruar gjithçka të fortë dhe të qëndrueshme që kemi arritur në marrëdhëniet ekonomike, e që mund të forcohen edhe më tej në të ardhmen”, tha ai. Megjithatë, presidenti Obama tha se mbi të gjitha është e rëndësishme të përcaktohet se “çfarë do të thotë Brexit për Europën”.

Ai mohoi sugjerimet se, më herët gjatë këtij viti, ai kishte kërcënuar se do ta “ndëshkonte” Britaninë nëse do të votonte pro largimit nga BE-ja, kur tha se vendi ishullor do të rikthehej sërish në “listën e pritjes” për marrëveshjet tregtare me Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, komentet e bëra në prill ishin përgjigje ndaj atyre që mendonin se efektet e “Brexit” do të ishin minimale.

Ndërkohë, në intervistën e dhënë për BBC, May tha se rezultati i referendumit tregoi se votuesit “nuk e dëshirojnë lëvizjen e lirë, në mënyrën sesi ka funksionuar deri më tani”. Ajo shtoi se ministrat po shqyrtonin “opsione” për kontrolle të reja të emigracionit nga BE-ja.

Top Channel