Vatikani është shndërruar në qendrën shqiptare kur ka mbledhur yjet më të rëndësishëm të trojeve tona dhe elitën politike në koncertin e madh në “Basilica di San Paolo Fuori le mura”. Në vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezës, njëkohësisht 19-vjetorit të shuarjes së saj.

Në fjalën e tij hyrëse, imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës, dha një historik poetik për jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës.

Rita Ora dhe Lorik Cana zgjodhën që përshëndetjen e parë për të pranishmit ta bëjnë në shqip, në gjuhën që ushtoi në Bazilikën e Shën Palit.

“Ave Maria” me zërin e magjishëm të Inva Mulës ishte mirëseardhja muzikore.  Baritoni Gëzim Myshketa interpretoi “Libera Me”.

Një ndërthurje mes muzikës dhe narracionit të vargjeve të murgeshës së të varfërve solli më pas Andi Bajgorën me vargjet “Take Time”. Virtuozi Shkëlzen Doli, solli në fillim tingujt “Meditation të Massenet”.

Në këtë festim të madh nuk mund të mungonte edhe “Buka e Engjëjve, Panis Angelicus nën zërin e Ramë Lahaj. Lum Veseli përcolli magji me narracionin e tij sërish në gjuhën shqipe të vetë vargjeve “Gjithmonë kam në zemër” të vetë Nënës Terezë.

Rita Ora ishte shndërruar. Në pamjen e një katolikeje në një ndër bazilikat më të bukura artistikisht, ajo interpretoi simbolin “What Child is this”. Nën orkestrimin e Shpëtim Saracit.

Producentja Dijana Toska ja doli të bënte bashkë më shumë shqiptarë se asnjëherë në selinë e shenjtë për një shenjtore.

Sërish, Inva Mula finalizon himnin e Nënë Terezës “Vals Hyjnor”, me fjalët “Lamtumirë” që murgesha e të varfërve i shkroi në vitin 1928. Të ardhura nën kompozimin e Genc Tukiçit.

Kjo nuk ishte një lamtumirë, por një përkatësi më shumë, që Nënë Tereza, është e jona. Dhe kjo magji ishte e gjitha në Top Channel në transmetimin dhe mbështetjen mediatike.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel