Turqia zgjeron sulmin në Siri, mbi 20 tanke të tjerë në operacion

03/09/2016 00:00

Turqia hapi një front të ri në Siri me dërgimin e disa tankeve të tjera në veri të vendit.

Tanket turke kaluan kufirin pranë qytetit të Kilisit, ku gazetarët kanë dëgjuar zhurmë predhash e më pas, kanë parë të ngrihen mbi territorin sirian shtëllunga të mëdha tymi. Grupe civilësh raportohet të jenë duke u larguar nga zona me avancimin e ushtrisë.

Rreth 20 tanket e përfshira në operacion bashkë me pesë autoblinda, kanë pasur mbështetjen e artilerisë që goditi pozicionet e militantëve të Shtetit Islamik në zonë.

Inkursioni ndodhi rreth 55 km në jugperëndim të Jarablusit, vendi ku nisi ndërhyrja e parë madhore turke në Siri që prej fillimit te konfliktit. Rebelët sirianë, të mbështetur nga Ankaraja, thonë se ofensiva synon shtimin e presionit mbi ISIS-in si nga lindja, ashtu edhe nga perëndimi i zonës kufitare.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriu me seli në Londër, rebelët kanë marrë gjatë ditës së sotme kontrollin e tre fshatrave të pushtuara nga Shteti Islamik, dy prej të cilëve janë shumë pranë Jarablusit, ndërsa një tjetër shtrihet në afërsi të frontit të ri në perëndim.

Top Channel