Në stanet e Shebenikut, bashkëjetesa me natyrën, pa energji e telefon

03/09/2016 00:00

Çdo mëngjes ata zgjohen nga këmborët e bagëtive dhe blegërimat e tyre. Stanet ndodhen në lëndinat e thella mes maleve ku çobanët , 6 muaj të çdo viti, bashkëjetojnë për mrekulli me bagëtinë dhe natyrën. Për dikë që jeton në intensitetin e zhurmshëm të qytetit është e pamundur të besojë që këtu jeta është gjithashtu intensive.

Gjatë gjithë ditës çobanët janë të zënë me punët në stan. Shumica e tyre janë kthyer nga emigrimi dhe kanë zgjedhur te ndjekin traditën e të parëve duke ndërtuar stanet e tyre.

“Më shumë ta ardhura po kemi këtu se jashtë vendit në emigracion”, shprehet një prej banorëve.

“Kam punuar që prej kohës së komunizmit, e deri më sot. Jam marr vetëm me këtë zanat”, shprehet një tjetër banor.

Ata nuk ankohen, përkundrazi, ndodh rrallë që njeriu të pranojë që nuk ka asnjë vështirësi. Ata thonë se puna u sjell të ardhura të mira dhe interesi drejt produkteve të tyre vjen gjithmonë e në rritje.

“Është shumë punë e mirë, nuk e kam fare problem. Bëjmë djathë të bardhë, bëjmë kaçkavall, gjalpë, gjizë, të gjitha”.

“Ne jemi mësuar këtu dhe jetojmë të lumtur”.

Nuk ka telefona, televizor, as internet, një panel i vogël mundëson vetëm pak ndriçim. Në rastin më të mirë një radio me bateri njofton se ç’ndodh nëpër botë. Por nëse hyn në baxhot e tyre me produkte bulmeti tërësisht bio, çdo gjë tjetër kalon në plan të dytë. Këtu janë të gjitha nënproduktet e qumështit, të përgatitura me mjeshtëri, kujdes dhe pastërti për tu pasur zili. Sa për shijen e tyre është e pamundur të përshkruhet. Ju duhet patjetër ta provoni atë.

Top Channel