Të rrihesh si në ring, aktori merr 800 grushte gjatë xhirimit të filmit

03/09/2016 00:00

Aktori Liev Schreiber ka marrë rreth 800 grushte gjatë xhirimit të filmit “The Bleeder” për ta bërë dramën e boksit sa më të besueshme për publikun e për të mos i lënë vend vërejtjeve të boksierit, jeta e vërtetë e të cilit portretizohej në këtë krijim hollivudian.

Filmi rrëfen historinë e Chuck Wepner që sfidoi për 15 raunde kampionin e botës për peshat e rëndat, Muhammad Ali. Schreiberit nuk i pëlqen shumë të bëjë biografike për shkak të krahasimit të bërë gjithmonë me personin që frymëzon filmin dhe rreziku është akoma më i madh kur individi është ende gjallë. Për këtë arsye dhe konsideron se loja duhet të jetë pa të meta.

“Fatmirësisht, Chuck-u e pëlqeu filmin dhe i vlerëson përpjekjet e mia, sepse në të kundërt, do të isha në telashe të mëdha”, shprehet Liev Schreiber, aktor.

Goditjet e boksit në film, ku kamera e fsheh grushtimin, nuk e bindnin shumë as regjisorin Philippe Falardeau.

“Për të mirën tonë dhe për të keqen e shoqërisë së sigurimit, Liev na e tha hapur se do të pranonte grushte të vërteta. Ndryshimi është gjigant. Ndaj ato që do të shihni në ekran, do të jenë goditje të një përballjeje të vërtetë”, u shpreh regjisori Philippe Falardeau.

Sipas Falardeau-së megjithatë, “The Bleeder” është më shumë sesa thjesht një dramë e lidhur me boksin, por shkon përtej asaj çfarë shihet në ring me rrëfimin e historisë së një fëmije të ngecur në trupin e një burri të madh.

Top Channel