Ndotësit më të mëdhenj ratifikojnë klimën

03/09/2016 00:00

Dy ndotësit më të mëdhenj të globit për nga niveli i emëtimeve të dioksidit të karbonit, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, kanë ratifikuar marrëveshjen globale të klimës, të vulosur në muajin dhjetor në Francë e të përshëndetur atëherë si triumf për organizatat e mjedisit që shpeshherë injorohen.

Anëtarët e Komitetit Qendror të Kongresit Kombëtar të Popullit në Kinë e miratuan propozimin për rishikimin dhe rafitikimin e paktit të Parisit pas diskutimesh të zgjatura plot një javë.

Pak pas lëvizjes së Pekinit, erdhi dhe sinjali i qartë i Amerikës. Me të mbërritur në krah të liderëve të tjerë të G20-s për samitin e organizuar në qytetin kinez Hangzhou, shefi i shtëpisë së bardhë Barack Obama deklaroi se historia do t`i gjykojë si të një rëndësie jetike përpjekjet e bëra sot.

Emëtimet e dioksidit të karbonit konsiderohen si faktori kryesor pas ndryshimeve klimaterike. Shtetet e Bashkuara dhe Kina së bashku janë përgjegjëse për 40 përqind të emëtimeve të karbonit nëpër botë. Në muajin dhjetor, vendet pjesëmarrëse në konferencën e klimës ranë dakort t’i reduktojnë emëtimet mjaftueshëm sa për ta mbajtur rritjen e mesatares së temperaturave globale nën 2 gradë celsius.

Top Channel