Arrestimi i vrasësit të policit

03/09/2016 00:00

Pasi i vuri flakën shtëpisë dhe hodhi në një qosh të katit të dyte armën e krimit, David Qosja vrapoi për t’u larguar në arën me misër, ku edhe u kap nga forcat RENEA.

Për shkak se gjatë operacionit për neutralizimin e tij policia nuk kishte asnjë fushëpamje që të dallonte fytyrën e 27-vjeçarit, janë dashur pak minuta derisa ai të identifikohej që ishte pikërisht ai vrasësi i efektivit Ardian Kodra.

I shtrirë më pas përtokë nga policia, ku dallohet një person që dukshëm e kishte ‘lënë veten pas dore’, i kequshqyer dhe i veshur me një bluzë,  ai përsëriste fraza kundërthënëse.

“Nuk e di kush e vrau policin!”. Kjo ka qenë fjalia e tij e parë, ndërsa me pas ka përsëritur se “nuk donte ta vriste”.

I pyetur më tej  nga hetuesit se përse qëlloi me armë mesditën e së premtes, i riu është përgjigjur në gjendje depresive se “dikush e kishte qëlluar me armë nga mali”.

Kjo pergjigjje, sipas hetuesve, ka përforcuar idenë se 27-vjeçari mund të vuajë nga një formë e depresionit që është deluzioni i përndjekjes. Çrregullimet mendore mund t’i jenë shkaktuar nga një sërë ngjarjesh fatkeqe të ndodhura në familjen e tij, sikurse edhe vdekja e të vëllait së fundmi.

Një ditë pas operacionit për kapjen e tij, në banesë dallohen shenjat e zjarrit dhe të plumbave. Nga kati i dytë ai qëlloi për vdekje efektivin Kodra sapo ai mbërriti me makinën e blinduar bashkë me kolegët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Forcat u kërkuan nga Policia e Lezhës pas telefonatave të banorëve që ishin trembur nga të shtënat e herepashershme që vinin nga shtëpia e të riut.

Prokurori i çështjes do të kërkojë për David Qosjan arrest me burg në Gjykatën e Krimeve të Rënda për vrasje për shkak të cilësive të veçanta, ndërkohë që pritet të kërkojë edhe planin operacional të ndërhyrjes së policisë gjatë aksionit që i kushtoi jetën inspektorit Kodra, një efektiv që dha jetën në detyrë pas 20 viteve pune.

Top Channel