Kukës, kanalet vaditëse rivihen në punë pas shumë vitesh

03/09/2016 00:00

Në Kukës, fushat këtë vit ruajnë ende gjelbërimin pasi kanalet ujitëse pas shumë vitesh janë vënë në punë nga Bashkia Kukës. Fermerët janë në pikun e punëve në bujqësi dhe prodhimet duken të mbara.

Fermerët e Kalimashit, pas tetë vitesh kanë ujë në parcela e i gëzohen këtij fakti duke rritur shpresat  për rritjen e sipërfaqeve me kultura të tjera bujqësore.

Nga pastrimi i kanaleve  dhe vendosja e tubacioneve për vaditje përfitojnë rreth 120 hektarë tokë të këtij fshati.

Edhe në fshatin Simon, pas disa vitesh mos funksionimi  është vënë në punë kanali vaditës  ku kapaciteti i ardhjes së ujit në parcelat e mbjella me kultura të ndryshme bujqësore është më i madh. Fermerët thonë se do rrisin sipërfaqet vitin e ardhshëm ndërsa mendojnë edhe për krijimin e impianteve vaditëse.

Vënia në eficencë e rrjetit ujitës ka qenë  prioritet i Bashkisë së Kukësit, ku përmes Bordit të Kullimit, u angazhuan burime njerëzore e mjete të mekanizuara për pastrimin dhe sistemimin e disa veprave vaditëse, si në Uzinë, Kolsh, Kalimash, Ujmisht, Pobreg, Bushat e të tjera.

Top Channel