Fushata për Dibrën, Rama në fshatrat Kishavec, Limjan e Kander

03/09/2016 00:00

Kandidati i së majtës për Bashkinë e Dibrës, Muharem Rama zhvilloi takime elektorale në fshatrat Kishavec, Limjan e Kander, të njësisë administrative Kastriot.

Në Kishavec, Rama premtoi korrektësi në ndarjen e ndihmës ekonomike nga bashkia, duke shmangur problematikat e diferencimet mes qytetarëve.

“Ndihma ekonomike do të shkojë aty ku të ketë nevojë. E them me bindje të plotë se, me të marrë bashkinë ndihma do t’i shkojë vetëm atij që i takon”, u shpreh Rama.

Rama u ndal edhe në një takim me veteranët e qytetit, ku premtoi rikonstruksionin e varrezave të dëshmorëve dhe rrugës që lidh ato me qytetin.

“Me fitoren e bashkisë do të mund të bëjmë realitet projektin për sistemimin e hapësirës së varrezave të dëshmorëve. Siç e keni parë, rruga e Pollozhanit është bërë me asfalt dhe kjo është një lehtësi më shumë për ju që të shkoni e të vizitoni varrezat”, tha Rama.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët e fshatit Limjan, kandidati i majtë u angazhua për investime në rrjetin rrugor, që konsiderohet ndër problemet më të mëdha për këta banorë.

“E di që problem më i madh këtu është rruga. Do ta fusim në projektet e bashkisë së ardhshme për bërjen e kësaj rruge me standarde”, deklaroi Rama.

Ai e mbylli ditën me takime në fshatin Kander, ku prezantoi para banorëve programin elektoral.

Top Channel