Dështon në arritjen e objektivave, pezullohet kreu i policisë së Lezhës

03/09/2016 00:00

Drejtori i Policisë së Lezhës, Dritan Lena, është pezulluar në datën një shtator nga kreu i Policisë së Shtetit, Haki Cako me motivacionin “shkelje të procedurave standarde në punë”.

Por askush nuk jep detaje zyrtare se cilat janë abuzimet konkrete me standardet policore përgjatë vetëm dy muajve që ushtroi këtë detyrë në krye të bluve në Lezhë.

Megjithëse versioni i pranuar është ai i mos arritjes së objektivave në luftën ndaj kriminalitetit, jo zyrtarisht shkaqet që penalizuan zyrtarin e pezulluar nga detyra , lidhen me kanabisin.

Një burim i sigurt shpjegoi se ndaj zyrtarit, standardet profesionale në Policinë e Shtetit kanë nisur ecurinë disiplinore për shkak se ai ka neglizhuar detyrën në mos hetimin siç duhet dhe në mos raportimin për kultivimin e drogës.

Lena, një zyrtar policie që e ka fituar gradën me vendim gjyqësor, deri në muajin korrik 2016 ka mbajtur detyrën e shefit të Krimeve në komisariatin 4 Tiranë.

Nën kontrollin e këtij komisariati është edhe zona e Dajtit, në të cilin po në datën një shtator efektivët e të njëjtit komisariat organizuan një operacion antikanabis në Priske dhe Mner i Epërm ku edhe asgjësuan gati 3 mijë rrënjë hashash. I kontaktuar nga Top Channel drejtori i pezulluar nga detyra nuk dha asnjë koment.

Top Channel