“Charlie Hebdo”, karikatura të zymta në lidhje me tërmetin në Itali

02/09/2016 00:00

Revista satirike franceze “Charlie Hebdo” është vënë sërish në qendër të vëmendjes, teksa është kritikuar së fundi në mediet sociale për karikaturën e publikuar në lidhje me tërmetin vdekjeprurës në Itali, ku viktimat shfaqen si produkte pastash.

Karikatura, e përfshirë në numrin e fundit të revistës, i referohet qytetit të Amatrices, një prej zonave të goditura më rëndë nga lëkundja e magnitudës 6.2 të javës së kaluar. Amatrice njihet ndryshe edhe si “shtëpia” e pastave “all’amatriciana’, një gatim në përbërjen e të cilit ka salcë domateje dhe proshutë “guanciale” (pançetë).

Imazhi tregon një person të plagosur dhe një grua që qëndron pranë një grumbulli rrënojash, nga të cilat shihen edhe këmbë njerëzish të bllokuar. Secila prej figurave ka marrë edhe një emërtim sipas llojeve të ndryshme të gatimeve të kuzhinës italiane.

Mashkulli i fashuar ka mbi krye fjalët “penne tomato sauce”, gruaja me djegie në fytyrë ka mbishkrimin “penne gratin”, ndërsa trupat e atyre që dergjen nën rrënoja konsiderohen si lazanja, dhe emërtimi i të gjithë kësaj karikatureje është “tërmet i stilit italian”.

Karikatura që po qarkullon nëpër rrjetet sociale ka tërhequr kritika të ashpra anembanë botës dhe në Itali është bërë edhe pjesë e gazetave kombëtare “La Stampa” dhe “Corriere della Serra”. Kjo nuk është hera e parë që “Charlie Hebdo” është bërë objektiv kritikash nëpër rrjetet sociale për karikaturat e saj thumbuese.

Në vitin 2015, revista satirike publikoi një karikaturë të debatueshme të refugjatit të mitur sirian, Alan Kurdi, të cilin vetëm dallgët e detit e kishin nxjerrë në brigjet e ishujve grekë teksa përpiqej t’i largohej Sirisë së shkatërruar nga lufta civile disavjeçare, ndërkohë që më herët ka publikuar edhe karikatura tepër të kritikuara të Profetit Muhamed.

E pavarësisht debatit që shkakton, revista shihet gjerësisht si një fener për fjalën e lirë, ndaj dhe shumë mbështetës të saj përdorin shpesh “hashtag”-un #JeSuisCharlie për të mbrojtur botimet e saj, veçanërisht që pas sulmit ndaj redaksisë në Paris në vitin 2015.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel