Raiola, superagjenti i lojtarëve. Fitime të majme gjatë merkatos

02/09/2016 00:00

Nga një buzëqeshje erdhi edhe akordi për transferimin më të bujshëm të kësaj vere në futbollin botëror, me Paul Pogba që finalizoi lëvizjen e tij te Manchester United për 105 milionë euro. Të jesh një superlojtar të sjell fitime të majme, por të jesh agjenti i një superlojtari, ndoshta është edhe më mirë. Dhe Mino Raiola e ka konfirmuar sërish se mbetet numri një mes agjentëve të futbollistëve anembanë globit.

Ish-picajoli italian që flet 8 gjuhë të ndryshme është kthyer në një fabrikë parash, e për këtë mjafton të shikosh përqindjet që merr për transferimet. Cristiano Ronaldo është futbollisti më i paguar në planet, por Mino Raiola në vetëm 3 muaj merkato ka fituar më shumë se portugezi.

Komisionet e agjentit kontrovers i kanë sjellë plot 30 milionë euro nga lëvizjet e bujshme të kësaj vere, ku Carmine “Mino” Raiola u konfirmua “mbret”. Mjafton të përmenden 3 lëvizje, Paul Pogba, Zlatan Ibrahimoviç dhe Henrikh Mkhitaryan. Të 3 lojtarët që zbarkuan te Manchester United kanë Raiolën si sinonim të përbashkët, e kjo nuk është hera e parë e fitimeve kolosale të tij.

Nëse kësaj i shtojmë edhe komisionin për transferimin e Mario Balotellit te skuadra e Nicës, atëherë vërtet që kjo verë ka qenë e frytshme për italo-holandezin e futbollit modern të negociatave të fshehura, komisioneve dhe klauzolave pa mbarim.

Top Channel