Meta, vizitë surprizë në mbledhjen e kryesisë së LRI

02/09/2016 00:00

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka bërë një vizitë surprizë gjatë mbledhjes së kryesisë së Lëvizjes Rinore për Integrim.

Gjatë këtij takimi, Meta ka përgëzuar drejtuesit e rinj të LRI për organizimin sipas tij të shkëlqyer të kampingut në Jalë, ku 1.500 të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria për 5 ditë me radhë u angazhuan në aktivitete të ndryshme sociale, argëtuese, si dhe formuese me personalitete të shumta që ishin ftuar.

Kryetari i LSI vlerësoi seriozitetin dhe frymën e bashkëpunimit të të rinjve dhe kërkoi që ky angazhim të vijojë edhe në të ardhmen me qëllim arritjen e rezultateve.

“Lëvizja Rinore për Integrim është organizimi më energjik rinor, por përmirësimi i vazhdueshëm është objektiv primar. Zhvillimi dhe përmirësimi vjen nga fëmijët e familjeve të thjeshta shqiptare. Pavarësisht angazhimit tuaj politik, unë ju kujtoj se marrëdhënia me dijen dhe shkollën duhet të jetë gjithmonë tepër aktive. Mos harroni, forca juaj qëndron tek fryma e grupit dhe solidariteti me njëri-tjetrin”, u tha Meta të rinjve.

Nga ana tjetër, kryetarja e LRI, Floida Kërpaçi falënderoi ekipin e këtij fraksioni për vullnetin e treguar dhe vlerësoi se, me këtë frymë do të arrihen rezultate të shkëlqyera edhe në të ardhmen. Në përfundim të takimit, Meta u sugjeroi të rinjve dhe dy libra për të lexuar.

Top Channel