Kosovë, analistët: Nëse rikthehet, demarkacioni mund të miratohet

02/09/2016 00:00

Qeveria nuk i pati votat e mjaftueshme për ta miratuar projektligjin e demarkacionit, ndaj e tërhoqi për një seancë tjetër votimin. Kështu vlerësojnë analistët politikë në Kosovë.

Imer Mushkolaj thotë se është e papranueshme, që votat për demarkacionin të sigurohen duke i bërë lëshime “Listës Serbe”, apo kujtdo tjetër. Sipas tij, Qeveria do ta fusë sërish në votim demarkacionin dhe se nuk do të jetë diçka e habitshme, që deputetët të ndërrojnë mendje.

“Duke pasur parasysh se deputetët ndërrojnë mendje, në varësi nga postet e privilegjet që iu ofrohen, nuk do të ishte e habitshme që edhe disa, të cilët tani për tani e kundërshtojnë, ta japin votën e tyre ‘pro’. Por kjo nuk e zgjidh problemin”, ka thënë Mushkolaj për “Telegrafin”.

Ai tha gjithashtu se më e mira do të ishte që të shkarkohet komisioni aktual për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që të gjendet një konsensus.

“Duhet të krijohet një trupë gjithëpërfshirëse dhe të rinegociohet marrëveshja me malazezët”, vlerësoi Mushkolaj.

Ndërkaq, Nexhmedin Spahiu shprehet se “Lista Serbe” e konsideron Kosovën ende pjesë të Serbisë dhe se nuk është e interesuar që “t’ia japë” Malit të Zi territorin e diskutueshëm.

I pyetur nëse Qeveria do ta risjellë sërish në Kuvend këtë projektligj, ai tha se nuk mund ta dijë me siguri këtë për momentin. Kryeministri i vendit Isa Mustafa, në seancën e 1 shtatorit tërhoqi nga votimi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, për shkak se mungonin deputetët e “Listës Serbe”.

Top Channel