Prishtinë, të shtunën protestë kundër Vuk Jeremiçit në OKB

02/09/2016 00:00

Protesta kundër Vuk Jeremiçit duket se do t’i bëjë bashkë të gjitha subjektet politike të Kosovës.

Organizatoret e protestës së 3 shtatorit, kundër kandidimit të Vuk Jeremiç për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së, Jeta Berisha dhe Fatbardhë Kiqina kanë njoftuar se, këtë të premte janë kryer përgatitjet e fundit për organizimin e saj, protestë që do të mbahet të shtunën në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës.

Ato thanë se protesta është gjithëpërfshirëse dhe se pritet pjesëmarrje masive e popullit, sepse ata kanë mundësinë më të mirë, që pas shumë vitesh t’i bashkojnë edhe njëherë forcat kundër njeriut që e mohon pavarësinë dhe ekzistencën e shtetit kosovar.

Protesta kundër Vuk Jeremiçit pritet të jetë protesta e parë që do t’i mbledhë të gjitha subjektet politike, OJQ-të dhe aktivistët e shoqërisë civile, për një kauzë të përbashkët.

Organizatoret e protestës kanë njoftuar se ajo do të jetë tërësisht paqësore dhe nuk ka për qëllim nxitjen e urrejtjes ndaj popullit serb, por do të jetë reagim i popullit të Kosovës ndaj kandidimit të antishqiptarit më të madh serb për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së. Sipas tyre, kandidimi i tij është fyerje për të vdekurit dhe të mbijetuarit e luftërave të zhvilluara në Kosovë, Kroaci e Bosnje nga i njëjti pushtues.

“Qëllimi ynë nuk është që t’i rihapim plagët shpirtërore që ka lënë lufta dhe pushtuesi serb te ne, por që t’i dëshmojmë Jeremiçit dhe OKB-së, se durimit të popullit tonë i ka ardhur fundi”, thanë ato duke shtuar se “është e patolerushme për ne, që njeriu i cili e ka shpallur haptazi urrejtjen ndaj një populli tjetër, të kandidohet në postin e njeriut që supozohet të ruajë paqen në botë”.

Top Channel