Lamtumirë kualifikimit, Shpresat humbasin 2-1 në Greqi

02/09/2016 00:00

Edhe pse kaloi në avantazh e para dhe kishte shansin që të gjallëronte në kulm fushatën eliminatore për Europianin, kombëtarja shqiptare e Shpresave nuk ia doli dot të merrte 3 pikë në transfertën e vështirë ndaj Greqisë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Redi Jupi plot ambicie në grupin e katërt eliminator ngulmoi që në fillim ndaj helenëve që ishin të zhveshur nga objektivat, por në fund shpërdoroi gjithcka duke humbur 2-1, çka praktikisht e bën kualifikimin një mision të pamundur.

Minuta e 22 rezervoi ovacione në stadiumin Peristeri të Athinës kur mesfushori teknik Liridon Latifi tundi rrjetën e grekëve duke sjellë entuziazëm mes shqiptarëve në impiant. Por në fundin e pjesës së parë, dy episode kushtëzuan takimin dhe të gjithë fushatën eliminatore.

Shkalla u ndëshkua me karton të kuq ndërsa Hoxhallari përkeqësoi bilancin. Faull në zonë dhe penallti për Greqinë, me goditjen nga pika e bardhë që u konvertua në gol nga Ioanidis. Fraksionin e dytë kuqezinjtë e vegjël e shtuan presionin madje helenët luajtën në finale me 10 futbollistë, Por në minutën e fundit të lojës Tsilianidis firmosi suksesin e Greqisë. Shqipëria ndodhet në vendin e tretë me 12 pikë pas 9 ndeshjesh.

Në fazën tjetër të Europianit kualifikohen ekipet e para të cdo grupi dhe 4 ekipet e dyta të renditura më mirë në total.

Top Channel