Samiti i Bratislavës, ministrat e BE-së: Duhet unitet për marrëdhëniet me Turqinë

02/09/2016 00:00

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian janë përpjekur këtë të premte të flasin nën një zë në lidhje me Turqinë, mes shqetësimeve mbi të drejtat e njeriut që mund të kërcënojnë edhe një marrëveshje kyçe që synon të mbajë refugjatët nga Lindja e Mesme larg brigjeve europiane.

Marrëdhënia me Turqinë është vetëm njëra nga temat kryesore në axhendën dyditore të takimit të përfaqësuesve të 28 kombeve anëtare të BE-së. Ministrat pritet të flasin gjithashtu për përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit, si dhe planifikojnë të fokusohen edhe te zhvillimi i strategjisë globale të BE-së gjatë bisedimeve të tyre.

Por nga komentet e bëra prej pjesëmarrësve u duk qartazi nevoja e balancimit të marrëdhënieve, në mënyrë që europianët të ushtrojnë presion ndaj Ankarasë për treguesit e të drejtave të njeriut, por pa rrezikuar paktin për refugjatët, që është edhe çështja kryesore në tavolinë. E duke qenë se BE-ja është e ndarë për faktin se, sa ashpër do të ndikojnë ndaj Turqisë, një zgjidhje duket tepër e vështirë për t’u arritur.

Turqia nga ana e saj bën presion për arritjen e liberalizimit të vizave për shtetasit e saj në vendet e zonës “Schengen”, e për këtë kërcënon se do të braktisë angazhimin për marrëveshjen e emigrantëve, nëse kërkesat e saj nuk përmbushen. Por Brukseli thotë se do ta lejojë diçka të tillë, vetëm nëse Ankaraja tërhiqet nga fushata e spastrimeve ndaj segmenteve të caktuara të shoqërisë që pas përpjekjes së dështuar të mesit të korrikut për grusht shteti kundër presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë deri më tani i kërkon angazhim Ankarasë në marrjen mbrapsht të emigrantëve ilegalë nga Siria që përpiqen të hyjnë në Europë, ndërsa nga Turqia do të largohet në mënyrë të ligjshme një refugjat sirian. Në këtë mënyrë, Ankaraja ka kontribuuar deri më tani në ndaljen e fluksit të jashtëzakonshëm të emigrantëve drejt BE-së, që kur marrëveshja nisi zbatimin në muajin mars.

Ankaraja, nga ana tjetër, është tepër e irrituar me thirrjet e disa prej zyrtarëve të lartë të qeverive të BE-së, të cilët kërkojnë pezullimin apo edhe fundin e viteve të gjata të bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në union, kjo për shkak të shqetësimeve mbi situatën e të drejtave të njeriut në vendin europiano-aziatik. Flirtimi i Erdoganit me rikthimin e dënimit kapital dhe ligji kundër terroristëve që prek edhe gazetarët, janë vetëm disa prej çështjeve që shqetësojnë BE-në.

Ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz përsëriti sërish thirrjen e tij për t’u dhënë fund bisedimeve për anëtarësimin në BE të Turqisë, në momentin që mbërrinte në samit, duke u thënë reporterëve se “ne i konsiderojmë spastrimet dhe përpjekjet për të heshtur ata që mendojnë ndryshe, si një qasje e gabuar”. Megjithatë, Kurz nuk ka qenë i vetëm, sepse edhe Kancelari austriak Christian Kern ka bërë thirrje për fundin e bisedimeve. Ky i fundit shtoi gjithashtu se Turqia duhet të përmbushë kërkesat mbi standardet e të drejtave të njeriut, nëse shpreson në fitimin e liberalizimit të vizave, ndërsa “për momentin, këto kushte nuk janë përmbushur”.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, vendi i të cilit kryeson Presidencën e BE-së, tha se është shumë e rëndësishme të flitet me një gjuhë të përbashkët europiane ndaj Turqisë. Ankaraja është “një partner i rëndësishëm dhe ne duhet të qartësojmë vetveten se çfarë kërkojmë nga Turqia”, tha ai. Ndryshe nga Kurz, ai tha se Sllovakia është në favor të vazhdimit të bisedimeve, një mendim që ndahet edhe nga të tjerë.

“Duhet të jemi shumë të qartë në mbështetjen ndaj autoriteteve turke kundër përpjekjes për grusht shteti, por edhe në kërkesat ndaj autoriteteve turke për të respektuar sundimin e ligjit dhe të drejtave fundamentale të njeriut”, tha ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni. “Nuk mendoj se është diçka e favorshme të themi se nuk do të zhvillojmë më negociata me Turqinë”.

Duke shprehur një tjetër aspekt shqetësues, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier tha se ministrat e BE-së duhet të diskutojnë edhe mbi inkursionin aktual të Turqisë në Siri, teksa po lufton si militantët e të ashtuquajturit Shtet Islamik, ashtu edhe luftëtarët kurdë, të cilët Ankaraja i konsideron si rrezik. Në axhendën e këtyre diskutimeve nuk është përfshirë vendimi i Britanisë për t’u larguar nga BE-ja.

Top Channel