“Pornografia është për të dështuarit”

02/09/2016 00:00

Ish-modelja e “Playboy”-t, Pamela Anderson, e njohur edhe për rolin e saj në serialin e famshëm “Baywatch”, është bashkuar me një rabin për të folur kundër pornografisë.

Një pjesë e opinionit të Andersonit dhe rabinit Shmuley Boteach, e publikuar nga “Wall Street Journal”, citon edhe rastin e fundit të skandalit seksual që përfshin ish-kongresmenin demokrat, Anthony Weiner, teksa bën thirrje për një “dialog të ndershëm” në lidhje me rrezikshmërinë e pornografisë dhe “një kod nderi që do ta luftojë atë”.

Materiali në fjalë e quan pornografinë si një “rrezik publik të seriozitetit të paprecedentë”. Ndërkohë që përfundon me togfjalëshin “pornografia është për të humburit”, ndërsa e quan atë “një treg të bezdisshëm që të shpërdoron kohën dhe i përshtatshëm për njërëzit tepër dembelë për të arritur frytet e jashtëzakonshme të një seksualiteti të shëndetshëm”.

Anderson është shfaqur nëpër kopertinat e revistës “Playboy” në 14 raste, së fundi në muajin dhjetor, në atë që konsiderohet si numri i fundit “nudo” i këtij botimi.

Pamela Anderson nuk është e para dhe as e fundit që flet kundër pornografisë. Një gjë të tillë e ka bërë edhe shkrimtari i famshëm italian, Umberto Eco, i cili flet thuajse pa doreza në lidhje me pornografinë në letrën e shkruar për të birin e tij, sesi duhet ta shohë ai këtë aspekt kur të rritet.

“Maksimumi mund të të rekomandoj se, nëse të ndodh rastësisht të gjendesh përballë faqeve të panumërta pornografike, që reken se tregojnë raportin mes dy qenieve njerëzore, apo një qenieje njerëzore dhe një kafshe, ajo që duhet të përpiqesh të bësh është të mos besosh kurrsesi se seksi është pikërisht ajo çfarë shikon në ato faqe, mbi të gjitha diçka monotone, sepse bëhet fjalë për një inskenim që të detyron të mos dalësh nga shtëpia dhe të mos shohësh femrat e vërteta. Nisu gjithmonë nga fakti që ti je një heteroseksual, ose përpiqu të përshtasësh rekomandimin tim: por gjithmonë hidhi sytë nga vajzat, në shkolla apo kudo që shkon për të luajtur, sepse janë shumë herë më të mira ato që sheh realisht, sesa ato që sheh në televizor. Dhe një ditë do të të ofrojnë kënaqësi më të mëdha sesa ato ‘online’. Besoji atij që ka më shumë eksperiencë sesa ty, sepse nëse do të ishim edhe ne duke parë seks në kompjuter, ndoshta as babai yt nuk do të kishte lindur kurrë, ndërsa ti as nuk do të kishe ekzistuar”, shkruan ndër të tjera Eco.

Top Channel