Drogë me “drone” në burgun e Larisës, “moda” e re shqiptare

02/09/2016 00:00

Me një mënyrë të pazakontë, me ndihmën e teknologjisë moderne, disa të dënuar shqiptarë në burgun e Larisës janë përpjekur të fusin në ambientet e burgut lëndë narkotike dhe telefona celularë.

Sipas policisë greke, plani është thurur nga 3 shtetas shqiptarë që vuajnë dënime të rënda në këtë institucion penitenciar, përkatësisht 36,33 dhe 30 vjeç.

Një i katërt 24-vjeçar, edhe ai nga Shqipëria, pasi ka marrë një leje disaditore ka shkuar në Athinë dhe ka blerë një “drone” (mjet i telekomanduar) të vogël në bashkëpunim me një grek 19-vjeçar.

Në transportin e lëndëve narkotike ka ndihmuar gjithashtu një shtetase greke, që ka sjellë me autobusin e linjes nga Athina në Larisa 211 gramë heroinë, 418 gramë kokainë, 10 telefona celularë dhe 26 karta SIM.

Policia ka arrestuar në një varrezë pranë burgut dy shtetasit grekë, kur ata po bënin gati “drone”-in që të transportonte drogën dhe celularët.

Sipas policisë, grupi i keqbërësve shqiptarë do të përfitonte nga shitja e tyre në ambientet e burgut mbi 150 mijë euro.

Top Channel