Ema Ndoja i rikthehet skenës në aktrim pas më shumë se 25 vitesh mungesë. Në dramën “Nata Arabe”, me regji të Stefan Capalikut, premiera që do të çelë sezonin artistik në Teatrin e Metropolit.

Ajo nuk preferon të flasë para interpretimit. E ngjashme me atë që ka qenë edhe para një çerekshekulli, në provat e pjesës ajo shfaqet e thjeshtë dhe pa grimin e detyruar që do mbajë pas disa ditësh në skenë.

Regjisori Capaliku tregon se kjo pjesë bashkëkohore e autorit gjerman Roland Schimmelpfenning, ka shumë ngjashmëri edhe me realitetin shqiptar.

“Netët arabe zhvillohen në një periferi të një qyteti të madh, qytet të cilin ne fare mirë mund të konsiderojmë edhe Tiranën tonë”, shprehet Stefan Capaliku, regjisor.

Aktorët e shfaqjes janë të pavarur, duke filluar nga Naun Shundi, Dasara Xhakolli, Erion Hinaj, Jozef Shiroka e Ema Ndoja.

“Të gjithë neve këtu jemi miq, jemi njerëz të afërt që e njohim njëri tjetrin. Bashkimi i principit profesional me principin njerëzor”, thotë regjisori.

Drama “Nata Arabe” do të vijë për publikun në 29 shtator. Ajo gjithashtu do të çelë edhe tetorin gjerman në Tiranë, nën zërat e pesë monologëve që ndërthurin bashkë tensionin, historinë dhe narracionin.

Top Channel