Seriozisht me Maqedoninë, në përgatitjet e fundit për takimin e parë eliminator

02/09/2016 00:00

Kalojnë ditët dhe kuqezinjtë afrohen më tepër me ndeshjen e parë të vlefshme për Eliminatoret e Botërorit 2018, atë kundër Maqedonisë.

Nga dita e premte, stafi kuqezi dhe lojtarët kanë filluar analizën për kundërshtarin e radhës që është i pari i një sezoni të ri futbollistik për kombëtaren. Maqedonia, edhe pse një emër jo i madh në letë, skuadra është e vetëdijshme që për këtë fakt duhet vlerësuar ndoshta më tepër.

“E fillojmë kundër Maqedonisë dhe sigurisht duhet të kemi më shumë guxim. Ne luajmë në vendin tonë, është ndeshja e parë dhe duhet filluar sa më mirë. Shumë persona mendojnë se Maqedoninë duhet ta mposhtim pa asnjë problem, por nëse edhe ne mendojmë ashtu, atëherë nuk do ta kemi të lehtë”, shprehet Migjen Basha.

Ndërkohë Jahmir Hyka i rikthyer pas një mungese të gjatë tek kuqezinjtë, duket në formë shumë të mirë dhe i gatshëm për të dhënë kontributin e tij.

“Janë bërë dy vjet dhe nuk është një kohë e vogël. Gjatë kësaj kohe kanë ndryshuar shumë gjëra. Mund të them që më kanë pritur shumë mirë. Çdo lojtar që është grumbulluar këtu është shumë i rëndësishëm dhe secili mundohet të japi kontributin e tij. Se kush luan në formacion, kjo është një pjesë që e vendos trajneri”, thotë Jahmir Hyka.

Realiteti tashmë i dy përfaqësueseve, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, fatkeqësisht ka rikthyer edhe një herë etiketimin tradhtare pas çdo zgjedhjeje që ka bërë gjithsecili nga futbollistët.

“Momenti kur shkon për Kosovën, je tradhtar; në momentin kur shkon për Shqipëri je sërish tradhtar. Nuk e di se çfarë përgjigje të jap. Për çdo lëvizje të gjithë jemi quajtur si tradhtar”, thotë Basha.

Top Channel