Një kravatë për ditëlindje

02/09/2016 00:00

Kryeministri Rama ka vizituar të premten Ministrinë e Arsimit, jo për ministren Nikolla apo për inspektim, por për një suprizë, për një nga punonjësit më të vjetër të saj, Ilir Kaninit.

Duket se tashmë suprizat pak orë para daljes në pension janë shndërruar në një traditë. Doktori i shkencave historike Ilir Kanini punon prej 33 vitesh në arsim, duke e nisur punën si redaktor i gazetës “Mësuesi”. Kreu i Qeverisë vendosi t’ja urojë personalisht ditëlindjen Kaninit, duke rezervuar për të edhe disa fjalë.

“Si Iliri ka plot njerëz të ndershëm, ka plot familjarë, prindër apo edhe më të rinj, që janë pjesë e administratës, për të bërë me përkushtim detyrën dhe për të fituar me ndershmëri rrogën dhe bukën e përditshme të fëmijëve dhe familjes së tyre”, tha Rama.
 
Vlerësim për Kaninin shprehu edhe ministrja Nikolla.

“Iliri ka një jetë në arsim, por është nga ata që profesionin e ka nisur mision. Ka 33 vite që punon në Ministrinë e Arsimit, i dedikuar arsimit fillor, i dedikuar revistës Mësuesi. Ka 33 vite që s’ka marrë asnjëherë raport”, deklaroi ministrja Lindita Nikolla.

Kryeministri kishte edhe një dhuratë për professor Ilirin, një kravatë, të cilën iu dhuroi përmes një battue:

“Unë jam i gjatë, po kravatat janë normale”, u shpreh ai. 

Top Channel