Turizmi, 34 përqind më shumë të huaj

02/09/2016 00:00

Porti i Durrësit këtë sezon turistik është shndërruar në portën hyrëse për në Shqipëri i një numri të madh vizitorësh të huaj. Në terminalin e pasagjerëve takon turistë të kombësive të ndryshme.

“Kam parë amfiteatrin romak, portin, shëtita përgjatë detit. Më pëlqen arkitektura. Vij nga Zvicra dhe jam tranzit në Shqipëri. Isha në Greqi”, thotë një Zviceran.

“Kur u them njerëzve në Spanjë, po shkoj në Shqipëri, më pyesin ku ndodhet ky vend? Është afër Kosovës? A është vend i sigurtë? Nuk e dinë ku gjendet në hartë”, deklaron një spanjoll.

“Për Portin e Durrësit kemi një rritje me 34 përqind të numrit të shtetasve të huaj që kanë mbërritur për turizëm për periudhën 1 Qershor 31 Gusht 2016 krahasuar me të njëjtën periudhë të 2015. Ndërsa po për të njëjtën periudhë shtetas shqiptarë hynë 17 përqind më shumë”, thotë ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.

Kreu i Portit thotë se rritje ka patur edhe numri i kroçerave dhe pasagjerëve që udhëtojnë me to. 

Të rinjtë e angazhuar për të promovuar vendin pranë pikës së informimit turistik në port, i kërkuan ministres Ekonomi pajisjen me harta ku të vendosen sitet turistike për t’u vizituar nga turistët. 

Top Channel