Tiranë-Durrës me 3 korsi, projekt për zgjerimin e rrugës

02/09/2016 00:00

Superstrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet dhe shpejtësia e lejuar në të mund të rritet deri në 140 kilometër në orë nëse do të krijohet hapësira ligjore në Kodin Rrugor.

Një kompani italiane e pajtuar  nga Qeveria, i ka dorëzuar Autoritetit Rrugor projektin paraprak për zgjerimin e rrugës që lidh dy qëndrat më të mëdha të vendit.

Projekti parashikon që superstrada, nga dy korsi për krah që është aktualisht të bëhet me tre korsi plus një tjetër shtesë emergjence. Paralelisht, ai parashikon edhe zgjerimin e korsive nga 3.5 metër që janë aktualisht në 3.75 metër.

Burime nga autoriteti bëjnë të ditur se rruga e re do të zgjidhë përfundimisht çështjen e mbikalimeve, nënkalimeve por edhe lidhjes së bizneseve me supestradën, të cilët përgjatë kësaj zone janë të shumtë.

Kostoja e zgjerimit të rrugës llogaritet 150 milionë euro, çka do ta shndërronte atë në një supestradë të kategorisë A, pra të standardeve më të larta.

Nevoja për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës ka lindur për shkak të fluksit të lartë të mjeteve në këtë rrugë. Aktualisht superstrada ka një kapacitet prej 30 mijë mjetesh në ditë, por sipas projektit të paraqitur nga italianët pas zgjerimit rruga do të përballojë deri në 67 mijë mjete në ditë.

Qeveria shqiptare ende nuk ka një vendim se kur do të investojë në këtë rrugë. Studimi është faza e parë e planit për të ndërhyrë. Por sipas Autoritetit Rrugor, zgjerimi i rrugës është i domosdoshëm për të përballuar fluksin e lartë të qarkullimit dhe për të rritur sigurinë në të.

Top Channel