Skandali i kartmonedhave, hapen hetimet ndaj BSH dhe bankave të dyta

02/09/2016 00:00

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për skandalin me karmonedhat e dëmtuara gjatë viteve 2010-2014, të denoncuar në një raport sekret nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Burime nga Prokuroria thanë për Top Channel se hetimi ka nisur pas një kallëzimi të vetë KLSH-së dhe do të drejtohet nga njësia taks forcë në organin e akuzës së Tiranës. Sipas tyre, në fokus të hetimit do të jenë veprimet e personave që kanë drejtuar bankën e shqipërisë përgjatë periudhës 2010-2014.

Pas vjedhjes së bujshme në Bankën e Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hetuar praktikën sesi Banka e Shqipërisë dhe bankat private kanë nxjerrë nga tregu kartëmonedhat e dëmtuara nga janari i vitit 2010 deri në korrik të 2014-s.

Përfundimet e kontrollit janë listuar në një raport sekret, i cili u publikua nga Top Channel. Sipas raportit, e gjithë skema e këmbimit të kartëmonedhave të dëmtuara ka funksionuar në mënyrë të jashtëligjshme, duke u marrë qytetarëve dhe buxhetit 541 milionë lekë. KLSH thotë se këto para janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga disa banka private, me bekimin e Bankës së Shqipërisë.

Cili ishte mekanizmi? Sipas KLSH, bankat private kanë grumbulluar kartmonedhat e dëmtuara nga qytetarët me një çmim më të ulët sesa vlera e tyre nominale. Por kur i kanë dorëzuar në Bankën e Shqipërisë, kjo e fundit i ka paguar vlerën e plotë. Diferenca sipas KLSH ka shku si fitim i paligjshëm për bankat private kur në të vërtetë duhhet të ishte fitim i bankës së shqipërisë për tu transferuar në buxhet.

Top Channel